Në vijim të programit kombëtar “Siguria e të rinjve”, të ndërmarrë në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, shërbimet e Policisë së Korçës po zhvillojnë një sërë takimesh informuese dhe edukative në shkollat e qarkut.
Takimet e fundit u mbajtën nga ndihmësspecialistët e DVP Korçë për edukimin në shkolla, në bashkëpunim me stafin pedagogjik dhe oficerët e sigurisë, në shkollat 9-vjeçare të bashkisë Devoll dhe në shkollën 9-vjeçare të Sovjanit, në bashkinë Maliq. Në këto aktivitete morën pjesë nxënësit e klasave të gjashta.
Gjatë bashkëbisedimit me nxënësit u trajtuan tema të rëndësishme për moshën e tyre, si ndalimi i dhunës dhe formave të saj, fenomeni i bullizmit dhe pasojat që ai sjell, rreziqet në përdorimin e internetit, si dhe rëndësia e respektit dhe komunikimit pa dhunë.
Për ta bërë takimin më të kuptueshëm dhe tërheqës, punonjësit e Policisë përdorën materiale vizuale, video dhe foto ilustruese, ndërsa nxënësve iu shpërndanë fletëpalosje informuese mbi sigurinë dhe mbrojtjen nga bullizmi.
Qëllimi i këtyre takimeve është edukimi i brezit të ri me vlera qytetare, ndërgjegjësimi për rreziqet që mund të hasin dhe forcimi i bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit, shkollës dhe familjes, për të ndërtuar një komunitet më të sigurt.


