Në qytetin e Korçës po vijon me intensitet puna për lirimin e hapësirave publike të zaptuara, me qëllim rikthimin e tyre në shërbim të komunitetit.
Ekipet e Bashkisë Korçë ndodhen në terren përgjatë Unazës së qytetit, ku po ndërhyhet në mënyrë të koordinuar për të hequr zëniet pa leje dhe elementët që pengojnë qarkullimin apo cenojnë hapësirat publike.
Ky aksion është pjesë e një plani më të gjerë të bashkisë për rregullimin urban, pastrimin e hapësirave publike dhe përmirësimin e sigurisë rrugore, duke garantuar një qytet më të hapur dhe të aksesueshëm për të gjithë qytetarët.
Sipas burimeve zyrtare, ndërhyrjet do të vijojnë në disa zona të tjera të qytetit, në bashkëpunim me strukturat e rendit dhe inspektoratin vendor.
Në kuadër të këtij procesi, institucionet lokale u bëjnë apel qytetarëve dhe bizneseve të respektojnë hapësirat publike dhe të kontribuojnë në ruajtjen e rendit urban.


