Mbrëmja qendrore që simbolizon festat e fundvitit në qytetin e Korçës ka bërë bashkë nxënës të shkollave 9-vjeçare të qytetit dhe njësive administrative, në një atmosferë festive dhe motivuese. Në këtë aktivitet u vlerësuan 318 nxënës ekselentë, të cilët janë dalluar për rezultatet e shkëlqyera në mësime gjatë këtij viti shkollor.
Nxënësit u pajisën me certifikata vlerësimi dhe dhurata simbolike, si shpërblim dhe stimul për përkushtimin dhe suksesin e tyre. Dhuratat u shpërndanë nga nënkryetari i Bashkisë Korçë, Kletjon Kita, i cili përcolli edhe një mesazh urimi me rastin e festave të fundvitit, duke i inkurajuar fëmijët të vijojnë rrugën e dijes me seriozitet dhe pasion.
Ceremonia u zhvillua në ambientet e Qytezës së Fëmijëve, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Mihal Grameno”, dhe u shoqërua me një program festiv, duke e kthyer këtë mbrëmje në një moment të veçantë për nxënësit, familjet dhe komunitetin arsimor të qytetit.


