Policia e Korçës ka identifikuar, kapur dhe arrestuar një 23-vjeçar, i dyshuar si autor i vjedhjes së targave të 5 automjeteve në pronësi të shtetasve të ndryshëm.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë bënë të mundur zbardhjen e 5 rasteve të vjedhjes dhe identifikimin e autorit të dyshuar, shtetasit D. V., 23 vjeç, banues në Korçë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi 5 targat e vjedhura, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.
23-vjeçari u arrestua për veprën penale “Vjedhja”, e kryer më shumë se një herë, ndërsa vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme ligjore.


