Policia e Korçës ka vënë në pranga 10 shtetas dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pas një konflikti të ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr.1 të qytetit, ku dy persona mbetën të plagosur me mjet prerës (thikë).
Nga veprimet hetimore rezultoi se të arrestuarit janë:
-
D. P., 54 vjeç, banues në Korçë, i cili akuzohet për “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Deklarim i rremë para oficerëve të policisë gjyqësore”, “Prishje e qetësisë publike” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;
-
P. R., 28 vjeç, I. Sh., 51 vjeç, R. K., 21 vjeç, S. A., 21 vjeç, M. Zh., 31 vjeç, S. M., 25 vjeç, G. D., 37 vjeç, S. Sh., 31 vjeç dhe M. L., 29 vjeç, të gjithë banues në Korçë, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Shkatërrim i pronës”, “Deklarim i rremë para oficerëve të policisë gjyqësore” dhe “Prishje e qetësisë publike”.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. K., 38 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar i përfshirë në konflikt. Të gjithë personat janë përplasur fizikisht dhe me sende të forta mes tyre, duke shkaktuar dëme materiale në lokal, ndërsa gjatë procedurave kanë dhënë deklarata të rreme përpara policisë.
Në vijim, u procedua penalisht edhe pronari i lokalit, shtetasi R. I., 45 vjeç, banues në Korçë, pasi nga verifikimet rezultoi se kishte punonjës të paregjistruar në organet kompetente.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Korçës për veprime të mëtejshme.


