Në Bashkinë Maliq ka nisur zyrtarisht sezoni i pyllëzimeve për vitin 2026, në një aktivitet të zhvilluar me pjesëmarrjen e kryetarit të bashkisë, Gëzim Topçiu, dhe ministrit të Mjedisit, Sofjan Jaupaj. Ceremonia u mbajt në ngastrën 3b të Ekonomisë Pyjore Pirg–Moçan, ku u mbollën fidanët e parë të pishës së zezë.
Ky proces do të vijojë në disa ngastra dhe pika të tjera në gjithë territorin e bashkisë, si pjesë e një nisme të gjerë për rritjen e sipërfaqeve të gjelbra dhe forcimin e mbrojtjes së mjedisit.
Kryebashkiaku Topçiu u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në këtë nismë mjedisore:
“Le të kontribuojë secili prej nesh duke mbjellë një pemë aty ku punon dhe jeton. Çdo pemë e re është një hap drejt një komuniteti më të shëndetshëm,” u shpreh ai.


