Kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, priti në një takim zyrtar Ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, i cili viziton për herë të parë qytetin.
Gjatë takimit, Ambasadori Tarran bëri të ditur se një nga prioritetet e programit të ri të OSBE-së është hapja e zyrave të informimit pranë çdo gjykate në vend, si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së transparencës dhe afrimit të sistemit të drejtësisë me qytetarët.
Në fjalën e tij, ambasadori vlerësoi pasuritë natyrore të Pogradecit, veçanërisht liqenin dhe natyrën përreth, duke i konsideruar ato si potencial të madh për zhvillim ekonomik, turizëm dhe ekonomi të qëndrueshme.
OSBE shprehu gjithashtu angazhimin për të mbështetur Këshillat Vendorë të Sigurisë dhe zhvillimin e projekteve që lidhen me përfshirjen e grave, ekonominë vendore, trashëgiminë kulturore dhe turizmin.
Kryetari Xhakolli falënderoi ambasadorin Tarran për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme që OSBE i jep Pogradecit dhe komunitetit lokal.


