Pogradeci priti për të pestin vit radhazi Maratonën e Notit “Agron Ruvina”, një aktivitet tashmë tradicional që mbledh notarë të rinj e veteranë nga Shqipëria, rajoni dhe vende të huaja. Në këtë edicion morën pjesë rreth 70 sportistë, të ndarë në dy kategori, me distanca 1750 metra dhe 280 metra.
Organizatori Vladimir Mato u shpreh i emocionuar për vazhdimësinë e kësaj gare, duke theksuar se pjesëmarrësit këtë vit erdhën jo vetëm nga ekipet kombëtare shqiptare, por edhe nga vende fqinje dhe më gjerë. Ndërsa motra e rekordmenit pogradecar, Agron Ruvina, falënderoi organizatorët për këtë aktivitet që mban gjallë kujtimin e tij.
Në garën e gjatë prej 1750 metrash, fitues doli 14-vjeçari Devi Shtaro, i cili mes emocioneve tha se këtë sukses ia dedikon familjes. Nga vajzat, e para në të dyja kategoritë, si në garën e gjatë ashtu edhe në atë të moshave 14-vjeç, doli Lizi Gusho, e cila edhe pse jeton jashtë vendit, zgjodhi të bëhej pjesë e maratonës dhe ia dedikoi fitoren motrës dhe familjes.
Tradita familjare e notit u përcoll edhe nga Ana Angjellari, e cila u shpall fituese te veteranët, duke ndarë emocionet dhe vështirësitë e garës.
Maratona “Agron Ruvina” jo vetëm që bashkoi brezat e noterëve, por rikujtoi edhe një herë se Pogradeci është një qytet që ka nxjerrë e do të vazhdojë të nxjerrë talente të mëdha në sportin e notit.


