Nga muaji qershor, marrëveshja dypalëshe për njohjen e sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë do të vihet zyrtarisht në zbatim, duke i hapur rrugë përfitimeve konkrete për mijëra emigrantë shqiptarë që kanë kontribuar në të dy shtetet.
Sipas Riza Ashimit, specialist në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Korçë, marrëveshja mundëson bashkimin e viteve të punës dhe kontributeve në Shqipëri dhe Itali. Nëse qytetari plotëson kriteret ligjore të secilit vend, ai do të përfitojë dy pensione të ndara: një nga Shqipëria dhe një nga Italia.
Përveç pensionit të pleqërisë, marrëveshja përfshin edhe përfitime të tjera sociale, si pensionet e invaliditetit, ndihmën për papunësinë për shkak sëmundjeje apo barrëlindjeje, si dhe pensionet familjare, çka e bën këtë dokument një hap të rëndësishëm në drejtim të mbrojtjes sociale të emigrantëve.
Procedura për aplikim kryhet vetëm në Tiranë, ku ndodhet zyra përgjegjëse për trajtimin e kërkesave për pensione ndërkombëtare.
Aktualisht Shqipëria ka marrëveshje për njohjen e sigurimeve shoqërore me rreth 27 shtete, ndërkohë që një ndër marrëveshjet më të pritura për Qarkun e Korçës mbetet ajo me Greqinë, për shkak të numrit të madh të emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në shtetin fqinj. Për momentin, nuk është arritur ende një dakordësi me autoritetet greke për një marrëveshje të ngjashme.


