Një mbrëmje magjike për futbollin shqiptar është zhvilluar në “Air Albania”, ku Dinamo City e drejtuar nga trajneri Ilir Daja ka arritur një fitore spektakolare 3-1 ndaj gjigantëve kroatë të Hajduk Split, duke u kualifikuar për herë të parë në play-off-in e UEFA Conference League.
Skuadra kryeqytetase e nisi sfidën me intensitet të lartë dhe nuk u tërhoq asnjë moment përballë presionit të miqve, duke marrë avantazhin falë lojës së shpejtë dhe vendosmërisë në sulm. Me këtë sukses, Dinamo City jo vetëm që shkruan historinë e saj në arenën ndërkombëtare, por i jep edhe futbollit shqiptar një tjetër arsye për krenari.
Tani, “blutë” e Ilir Dajës do të kërkojnë të shkojnë edhe më tej, duke synuar fazën e grupeve të Conference League. Atmosfera në stadium ishte elektrizuese, ndërsa tifozët nuk ndalën asnjë çast së mbështeturi heronjtë e tyre në këtë fitore të madhe.


