Një fond prej rreth 2.3 milionë eurosh (228.9 milionë lekë) është vënë në dispozicion përmes një procedure prokurimi publik për të ndërhyrë kundër përmbytjeve dhe gërryerjeve në lumenjtë Devoll dhe Osum, duke përfshirë investime të rëndësishme në fshatin Bitinckë të Devollit, si dhe në Cërrik e Berat.
Ndërhyrja në Bitinckë të Devollit kundër gërryerjes së tokave
Loti i dytë i këtij projekti mban titullin «Mbrojtje nga gërryerjet në lumin Devoll, fshati Bitinckë – Devoll» dhe ka një fond limit prej 94.7 milionë lekësh. Ky investim synon të mbrojë tokat bujqësore dhe pronat në krahun perëndimor të rrjedhës së lumit Devoll, të cilat janë prekur ndjeshëm nga erozioni lumor.
Sipas dokumentacionit teknik të projektit, segmenti në Bitinckë është i ekspozuar ndaj gërryerjeve intensive në një gjatësi prej rreth 800 metrash. Për të stabilizuar zonën, parashikohet ndërtimi i një mbrojtjeje gjatësore prej rreth 787 metrash përgjatë shpatit të dëmtuar, duke përdorur themele me gurë masivë dhe gabiona të mbushur me gurë të lidhur me rrjetë teli të zinkuar.
Punimet e planifikuara në Cërrik dhe lumin Osum në Berat
Pjesa tjetër e fondit është ndarë në dy lote të tjera. Loti i parë, me vlerë 31.9 milionë lekë, përfshin mbrojtjen nga përmbytjet e lumit Devoll në zonën e Desarës në Bashkinë Cërrik, ku parashikohet vazhdimi i mbrojtjes me gabiona dhe blloqe betoni në segmente prej 70 metrash dhe 100 metrash, si dhe riparimi i strukturave ekzistuese.
Loti i tretë përfshin mbrojtjen lumore të krahut të majtë të lumit Osum në lagjen Bejtollarët të Beratit, me fond limit 102.3 milionë lekë. Ky projekt përfshin stabilizimin e skarpateve, profilizimin e shtratit dhe ndërtimin e mureve mbajtëse për të parandaluar rrezikun e përmbytjeve në zonat e banuara gjatë reshjeve me intensitet të lartë.


