MERAKU I DATËS 25 DHJETOR
Meraku yt është i admirueshëm! Edhe pse s’je besimtar, e merr iniciativën të më sqarosh që jam duke festuar Krishtlindjen në datën e gabuar. Sa durim që ke! Të falënderoj që merr mundimin të më ndreqësh. Në mos gabohem, e kemi bërë këtë bisedë edhe më parë apo jo? Por meqenëse fjalët e thëna me gojë harrohen kollaj, po të hedh disa mendime mbi letër, shkurtimisht, për të të hequr merakun një herë e mirë.
Ke shumë të drejtë kur thua se të krishterët më të hershëm nuk e festonin Krishtlindjen në datën 25 dhjetor. Por kjo nuk ka aq rëndësi sa ajo tjetra: që e festonin ama! Thjesht fakti që një pjesë e ungjillit merret me shpjegimin e lindjes së Krishtit siguron që ajo është predikuar rregullisht në kishë, duke u bërë shkak për adhurimin kolektiv. Gjithashtu, ka pjesë të tjera të Biblës që flasin për Krishtlindjen (si ngjarje flas, jo si datë) siç janë profecitë e Dhiatës së Vjetër, apo shkrimet apostolike, si këto vargje të thurrura nga Pali, një nga himnet e para:
“I madh është misteri i besimit:
Perëndia u shfaq me trup njerëzor,
u shpall i drejtë nga Shpirti i Shenjtë,
u pa nga engjëjt,
u predikua mes kombeve,
u besua në botë,
u ngrit në lavdi.”
E di që do të ngulësh këmbë prapë për punën e datës. Prandaj, po të them hapur, asnjë besimtar nuk është i detyruar të festojë Krishtlindjen në 25 dhjetor! Në fakt, unë njoh personalisht disa që nuk e respektojnë si datë; ndonëse duhet theksuar se nuk mund të jesh i krishterë nëse mohon shfaqjen fizike të Birit të Perëndisë në tokë. Për datën pra, të lëshova pe, po për lavdinë e Jezus Krishtit, nuk të lëshoj asnjë centimetër!
Megjithatë, a ka ndonjë të keqe nëse ne duam të festojmë lindjen e Shpëtimtarit tonë në një datë, apo stinë të caktuar? A të prishim ty ndonjë punë? Si më the? Që të krishterët e zaptuan festën pagane të diellit, që mbahej më parë, po në këtë datë, duke e veshur me një domethënie të re për Jezu Krishtin? Të kuptova. Zëmë që është kështu. Supozojmë që ndjekësit e Jezusit, në shekullin e katërt, zëvendësuan adhurimin e diellit me atë të Krishtit.
A ka ndonjë të keqe në këtë mes? Sipas meje, do të kishin bërë shumë mirë po ta kthenin vëmendjen e njerëzve nga kulti i diellit (supersticiozitet i madh) te drita e vërtetë, pra te Ai që zbriti nga qielli për të ndriçuar shpirtrat e njerëzve.
Gjithsesi, sugjerimi yt që 25 dhjetor u zgjodh kastile nga të krishterët për të ndihmuar me konvertimin e paganëve, duket jo shumë bindëse. Në realitet, e kundërta mund të jetë e vërtetë! Kulti i diellit në botën romake nuk qe shumë i rëndësishëm në fillim, por u promovua nga shteti si kundërpërgjigje ndaj besimit në Jezusin që po tërhiqte gjithmonë e më shumë njerëz larg idhujve.
Në fakt, dorëshkrimet tregojnë se besimtarët kanë diskutuar për datën e Krishtlindjes qysh prej shekullit të dytë. Kjo ishte në kohën kur ata ishin ende një pakicë e vogël dhe e pafuqishme për të imponuar kalendarin e tyre mbi shoqërinë pagane. Për më tepër, nuk gjen asnjë koment në dorëshkrimet e hershme të kishës që mbështet idenë e një përqasje pragmatiste lidhur me përcaktimin e datës. Përkundrazi, diskutimet u orientuan nga arsyetime shpirtërore. E kush mund të jetë më i informuar për këto çështje sesa ata që i përjetuan vetë?
Sot, Krishtlindja mund të ketë kuptime të ndryshme për njerëz të ndryshëm, po për ata që e festuan në fillim, kishte vetëm një kuptim. Me fjalët e të përmoçmit Simeon, njeriut të Zotit: “Me sytë e mi e pashë shpëtimin tënd që ti e përgatite në sytë e të gjithëve!”
Sa për datën 25, të duhet më?