Buxheti i shtetit shqiptar nuk rimburson as 40 për qind të faturës së barnave për sëmundjet më të përhapura dhe të rënda në vend, duke i lënë pacientët të përballen të vetëm me kosto rrënuese. Të dhënat e kryqëzuara nga organizatat ndërkombëtare dhe qeveria shqiptare tregojnë se mijëra qytetarë që vuajnë nga tumoret, diabeti dhe hipertensioni detyrohen të paguajnë nga xhepi i tyre miliona euro çdo vit për t’u kuruar.
Mbulimi i ulët për pacientët me tumore
Globocan, databaza online e statistikave të tumoreve në shkallë globale, vlerëson se në Shqipëri prevalenca 5-vjeçare e pacientëve me tumor në mushkëri është rreth 2 mijë pacientë. Megjithatë, të dhënat zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se aktualisht qeveria rimburson medikamentet për vetëm 430 pacientë, ose vetëm një në pesë persona të prekur. Sipas protokollit zyrtar të trajtimit në Shqipëri, kostoja vjetore e medikamenteve për tumorin e mushkërisë është rreth 3300 euro për pacient, një shumë e papërballueshme në një vend ku të ardhurat mesatare për frymë janë më pak se 10 mijë euro.
Pasojat e këtij nënfinancimi reflektohen në shifrat e fataliteteve, ku mbi 1200 vetë në vit humbasin jetën nga tumori i mushkërisë, një shifër kjo 3 herë më e lartë se numri i pacientëve që marrin rimbursim aktualisht. Situata paraqitet e ngjashme për të gjithë spektrin e 5 tumoreve me prevalencën më të lartë në vend, ku shkalla e rimbursimit të ilaçeve varion nga 20 për qind deri në 80 për qind në rastin më të mirë, që i përket të sëmurëve me tumor të gjirit. Përfshirja e të gjithë këtyre pacientëve në skemën e mbështetjes do të kërkonte një kosto vjetore jo më shumë se 8 milionë euro.
Barra financiare e diabetit dhe hipertensionit
Sëmundjet kronike gërryejnë gjithashtu buxhetet familjare. Federata Botërore e Diabetit raporton se Shqipëria ka aktualisht rreth 261.5 mijë të rritur të moshës 20-79 vjeç që jetojnë me diabet, me një prevalencë prej 10.6% sipas vlerësimeve të Bankës Botërore. Kostoja e barnave për trajtimin e një pacienti diabetik vlerësohet mesatarisht në mbi 160 euro në vit. Nga ky total, Ministria e Shëndetësisë rimburson medikamentet për rreth 101 mijë e 500 pacientë (më pak se 40 për qind), duke lënë rreth 160 mijë shqiptarë të paguajnë vetë për ilaçet.
Për hipertensionin, Observatori Botëror i Zemrës vlerëson se rreth 760 mijë të rritur vuajnë nga presioni i lartë arterial. Qeveria rimburson ilaçet për vetëm 244 mijë pacientë (rreth 32 për qind), ndërsa 516 mijë të tjerë mbeten jashtë skemës. Vetëm barnat e diabetit dhe hipertensionit u marrin familjeve shqiptare rreth 50 milionë euro në vit nga xhepi i tyre, një shumë që normalisht duhej të mbulohej nga fondi publik.
Shpenzimet për shëndetësinë në rënie
Vitin e kaluar, qeveria shpenzoi përmes buxhetit publik të shëndetësisë mesatarisht 330 euro për banor, një shifër 5 herë më e ulët se vendet e ngjashme të rajonit dhe 10 herë më pak se mesatarja e Bashkimit Europian. Aktualisht, Shqipëria shpenzon 2.9 për qind të GDP-së për sektorin e shëndetësisë. Pavarësisht plakjes së popullsisë dhe rritjes së prevalencës së sëmundjeve, sipas programit buxhetor afatmesëm, fondet publike për shëndetësinë pritet të ulen në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Ky realitet i mungesës së kohezionit social bie ndesh me vizionin historik të figurave të kombit. Më shumë se një shekull më parë, në Konferencën e Paqes në Paris, Gjergj Fishta përdori pikërisht argumentin e solidaritetit për të mbrojtur vendin: “Pse nuk mundet me qenë Shqipnia e lirë ku, nëmos tjetër, gra nuk vriten dhe ku nuk gjindet nji vorr i nji të vdekuni urie.” Sot, ndonëse nuk ka vdekje nga uria, pamundësia financiare për t’u kuruar mbetet një sfidë jetike për mijëra qytetarë.


