Humbja e jetës së 20-vjeçarit Joan Zuko një ditë më parë në qytetin e Korçës ka lënë në zi jo vetëm familjen dhe qytetin, por edhe komunitetin sportiv bardhekuq.
Tifo-grupi i njohur i Skënderbeut, Ujqërit e Dëborës, ka reaguar përmes rrjeteve sociale për ndarjen e parakohshme nga jeta të një prej anëtarëve të tyre më të flaktë. Sipas njoftimit të tyre, nuk bëhet fjalë thjesht për humbjen e një tifozi, por të një të riu që e përjetonte çdo ndeshje të ekipit të zemrës si të ishte finalja e jetës.
Mesazhi i lamtumirës nga shokët e tribunës
Në mesazhin e tyre ngushëllues, tifozeria shkruan: “Sot Skënderbeu dhe gjithë tifozeria ‘Ujqërit e Dëborës’ humbën një nga tifozët e tyre më të zjarrtë… Zëri yt do të mungojë në tribuna, këngët dhe brohoritjet e tua nuk do të dëgjohen më mes turmës, por pasioni që le pas nuk do të harrohet kurrë”.
Shokët e tribunës kanë shprehur mirënjohjen për mbështetjen e tij të palëkundur ndaj klubit korçar, si në ditët e sukseseve ashtu edhe në ato më të vështirat. Grupi i ultrasve është zotuar se do të vazhdojë të këndojë dhe të ngrejë flamurin në stadium edhe për 20-vjeçarin, duke e mbajtur gjallë kujtimin e tij si një pjesë të përjetshme të shkallëve të stadiumit.


