Në kuadër të javës kombëtare ndërgjegjësuese në mbrojtje të viktimave të krimit përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë kanë qenë në Korçë në disa takime me bashkinë e Korçës dhe studentë të universitetit Fan Noli.
Zv/ministri i Drejtësisë Klajd Karameta tha se janë shpërndarë informacione për ndihmën juridike falas për personat në nevojë, e cila ofrohet tashmë në 20 qytete të vendit në formë këshillimi ligjor, por edhe përfaqësimi ligjor për një sërë kategorish.
Në fund të vitit të kaluar u miratua për herë të parë strategjia ndërsektoriale e mbrojtjes së viktimave të krimit, strategji e cila është prezantuar për studentët e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Humane gjatë takimit të zhvilluar.
Fushata sensibilizuese në mbrojtje të viktimave të krimit do të kryhet çdo vit nga Ministria e Drejtësisë, për të qenë sa më afër të rinjve, qytetarëve por edhe për të shpjeguar risitë dhe funksionet e kësaj strategjie, e cila do të vihet në zbatim nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas.


