Sot i dërgova të dy fëmijët e mi në shkollë, teksa shkoja rrugës mendoja se si do e kenë ditën sot? Djali im është 2 vite më i vogël se fëmija që humbi dje jetën në Tiranë. Në fakt, askush nuk kishte njoftuar për bojkot mësimi sot. Sot pati zi vetëm në shkollën ku mësonte 14 vjeçari, askund tjetër, të gjithë duket se menduan, po mua çmë duhet!
Jam i sigurtë se kështu menduan, pa e imagjinuar veten në një moment të vetëm se prindi i atij fëmije mund të ishte kushdo nga ne.
Po po, duket se në shoqërinë tonë askush nuk ndjen më dhimbje, deri sa një tragjedi të tillë ta ketë pranë vetes. Kaq pa shiprt jemi bërë? Kaq jo njerzor? Po nesër? Zoti mos e dhëntë ti ndodhë fëmijës tënd, tim, të atyre? Deri kur do heshtni?
Në një vend normal të botës sot shkollat do të bojkotonin mësimin, e bashkë me ta do ishin krah edhe prindërit. Sot në një vend normal të botës do të kishte dhënë dorëheqje Ministri i Arsimit, drejtori i shkollës, polici i zonës, roja i shkollës, mësuesi mund të kishte marrë masë disiplinore apo edhe më keq.
Pse? Sepse askush nuk çoi infomacionin deri në fund, askush nuk reagoi më herët, askush nuk i ka dalë para këtij fenomeni sepse rastet janë më të gjera se vetëm 14 vjeçari në Tiranë.
Disa ditë më parë kisha në dorë disa sms të një mësuesi në Korçë, kafshërisht i kërkonte marrdhënie seksuale një nxënëseje, në moshën e vazjës së tij. Askush nuk reagoi, përkundrazi u mjaftuan me një ndalim nga policia dhe një shfajësim publik nga bashkëshortja se ai ishte i alkoolizuar?
Skandali më i madh këtu ishte se drejtoria e shkollës, apo edhe zyra arsimore kishin dijeni mbi gjendjen e tij, askush nuk e dërgoi në shtëpi, apo ti kërkonte të shkonte të kurohej, përkundrazi e lanë të “jepte” mësime, jo mësime arti, por mësime seksologjie.
A e dini se sa mësues pas orës 12 të mesditës mund të jenë në avujt e alkoolit, provojeni bëjni një test alkooli. Po sa e sa raste si ai i Korçës për ngacmime seksuale mund të mos denoncohen, apo fshihen? Po neës vajza ime, juaj ngacmohet në këtë formë?
Pesha e fajit nuk lë jashtë prindërit, familjen, e cila nuk jep asnjë mësim morali në shtëpi por pret ta bëjë vetëm shkolla, nuk e kontrollon një ditë të vetme fëmijën në shtëpi. Ka prindër që arrijnë deri atje saqë kërcënojnë edhe mësuesit kur i nxjerrin nga ora e mësimit fëmijët e tyre. Çfarë ndodh më pas? Sherre, thika, sharje, vrasje sepse ai është çuni i babit, për të cilin i kërciti dhëmbët mësuesit.
Në këtë rast nuk ka vetëm një vrasës është një zinxhir i madh institucionesh dhe zyrash që duhet të mbajnë përgjegjësi, kjo situatë në të cilën jemi duhet të shoqërohet me reformat ë forta nga poshtë lart, askush nuk mund të cilësohet i paprekshëm në karriken që ka zënë, çdo kush duhet të mbajë përgjegjësi morale dhe ligjore.
Nesër do jemi ne prindërit e një fëmije të lënduar, po pastaj, do thërrasim, do çirremi për drejtësi? Në një kohë kur vazhdojmë të lejojmë e të themi çmë duhet mua? Zgjohu! Reago! Për jetën e fëmijës tënd, në të kundërt nesër do jetë shumë vonë. Nesë ju prindër keni fjetur mbrëmë të qetë, atëherë kemi marrë fund si shoqëri.
Shkruar nga Artin Halili


