Qarku i Korçës dhe zona e Pogradecit do të përfshihen nga rrebeshe të izoluara shiu gjatë ditëve të mërkurë, e enjte dhe e premte, ndërkohë që temperaturat e larta verore do të vijojnë deri në mesjavë për t’u pasuar nga një rënie në fundjavë. Meteorologia e Metoalb, Lajda Porja, bëri me dije se megjithëse mëngjeset do të sjellin një ulje të lehtë të temperaturave, kushtet atmosferike mbeten të ngrohta, me vlera maksimale që gjatë ditës së sotme arrijnë në 35°C në qarkun e Beratit dhe nga 33 deri në 34°C në shumicën e ultësirës perëndimore.
Rrebeshet e shiut në juglindje dhe kulmi i temperaturave
Dita e mërkurë dhe e enjte do të shënojnë temperaturat më të larta të javës në shkallë vendi, ku termometri në Berat dhe Elbasan mund të ngjitet deri në 36°C, në qytetet e ulëta deri në 34-35°C, ndërsa në bregdet vlerat do të luhaten mes 32-33°C. Megjithatë, për zonat lindore dhe juglindore, pasditet do të shoqërohen me reshje. Meteorologia Lajda Porja theksoi se rrebeshet do të jenë më të pranishme në juglindje dhe veçanërisht në rajonin tonë.
“E mërkura, e enjtja dhe e premtja do të kenë rrebeshe shiu në të gjithë zonën lindore dhe do jetë kryesisht juglindja, të jetë qarku i Korçës ku do të ketë rrebeshe. Dhe Gjirokastra gjithashtu ku do të jenë më të dukshme, por presim që edhe zonat e verilindjes, Pogradeci, po ashtu dhe Peshkopia, Kukësi, Bulqiza do të kenë rrebeshe të izoluara gjatë pasditeve”, tha Porja.
Rënia e temperaturave në fundjavë dhe tendenca e shtatorit
Në pjesën tjetër të territorit shqiptar, paraditet do të jenë me diell dhe pasditet me vranësira pa reshje me rëndësi. Ndryshimi kryesor pritet gjatë fundjavës, me nisjen e reshjeve në veri e veriperëndim që më pas do të shtrihen drejt jugut dhe juglindjes, shoqëruar me forcim ere, dallgëzim në det dhe ulje temperaturash me 3-4 gradë. Por sipas meteorologes, ky nuk është fillimi i vjeshtës pasi muaji shtator parashikohet me temperatura mbi mesataren.
“Është një situatë kalimtare sepse edhe pse fillimi i javës mbetet në këto ujëra, ne presim sërish temperaturat të cilat do të jenë 32-33° pothuajse gjithë shtatorit. Është parashikuar që muaji shtator do të regjistrojë temperatura më të larta. Pra nuk është se futemi zyrtarisht që këtë fundjavë në vjeshtë dhe më pas na presin ditë të freskëta, por do kemi sërish temperatura të cilat të paktën deri në fund të muajit do të jenë mbi 32 gradë”, sqaroi Porja.
Lidhur me rajonin, në Kosovë temperaturat do të arrijnë deri në 33-35°C deri të premten, ndërsa reshjet do të nisin të enjten dhe të premten për t’u zgjeruar gjatë fundjavës në të dyja vendet, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Në zona të caktuara të Ballkanit nuk përjashtohen edhe mini-stuhi, erëra të forta dhe breshër, përpara se kushtet të përmirësohen javën e ardhshme.
Foto ilustruese.


