Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, i krijuar në vitin 1980, mban një nga koleksionet më të pasura të artit bizantin dhe postbizantin, si dhe objekteve të tjera joreligjioze. Fondi i tij numëron rreth 8000 objekte të punuara në ikona, gur, dru, copë dhe metale, të cilat dëshmojnë trashëgiminë kulturore dhe artistike të vendit.
Historia e këtij muzeu lidhet ngushtë me përpjekjet për të shpëtuar këto pasuri gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Falë disa njerëzve të asaj kohe, të cilët arritën të mbronin një numër të madh ikonash nga shkatërrimi i ideologjisë komuniste, këto vepra arti mbijetuan. Gjatë kohës kur lufta kundër besimit dhe objekteve të kultit ishte intensive, muzeu u strehua nën kupolën e kishës “Burimi Jetëdhënës”, një nga kishat kryesore të qytetit të Korçës, duke siguruar kështu ruajtjen e vlerave historike dhe artistike.
Përtej funksionit fetar, këto ikona në dru dhe relieve në gur ofrojnë një dritare drejt artit figurativ të kultivuar ndër shekuj. Përmes tyre mund të zbulohen teknikat e përdorura, temat, detajet e jetës së përditshme, kostumet, si dhe shprehjet individuale të artistëve që lanë gjurmë në ikonografinë shqiptare dhe artin vizual.
Prej vitit 2016, ky koleksion i pasur është vendosur në një ndërtesë të re bashkëkohore, e cila ofron parametrat e duhur për ekspozimin, konservimin dhe restaurimin e këtyre vlerave. Arkitektura moderne e ndërtesës së re është ndërthurur me ngjyrat bizantine, duke sjellë një eksperiencë të veçantë për vizitorët e sotëm që duan të njohin këtë trashëgimi.


