Një sipërfaqe e konsiderueshme prej më shumë se 2 hektarësh kullotë është shkrumbuar si pasojë e një zjarri që ka rënë gjatë ditës së sotme në fshatin Udënisht të bashkisë Pogradec. Flakët kanë vënë në rrezik serioz edhe banesat e zonës, të cilat ndodheshin fare pranë vatrës aktive të zjarrit.
Për izolimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar forca të shumta në terren, duke përfshirë shërbimin zjarrfikës, punonjës të shërbimit pyjor si dhe punonjës të njësisë administrative Udënisht. Operacioni i ndërhyrjes është përqendruar në lokalizimin e vatrës për të parandaluar përhapjen e mëtejshme në drejtim të zonave të banuara.
Sipas informacioneve, ndërhyrja në kohë e shërbimit zjarrfikës ka bërë të mundur shpëtimin e shtëpive që ndodheshin në afërsi të zjarrit. Megjithëse dëmi në sipërfaqen e kullotës llogaritet në mbi 2 hektarë, raportohet se situata është vënë nën kontroll duke shmangur dëmtimin e objekteve të banimit.


