Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Korçë ka sqaruar se shifrat e dhëna pak ditë më parë për regjistrimet e nxënësve kishin rezultuar si pasojë e një problemi teknik në sistem. Sipas të dhënave të përditësuara, këtë vit shkollor në qark janë regjistruar 19,340 nxënës, rreth 1,600 më pak krahasuar me vitin e kaluar, kur numri arrinte në mbi 21 mijë.
Në klasat e para janë regjistruar 1,430 nxënës, ndërsa në klasat e dhjeta do të ulen 1,540 gjimnazistë. Megjithë uljen e numrit të përgjithshëm të nxënësve, asnjë mësues nuk ka dalë nga sistemi, pasi janë shtuar aktorë mbështetës si mësues ndihmës, koordinatorë, oficerë sigurie dhe mësues në dispozicion.
Sipas DRAP Korçë, të gjitha institucionet arsimore në qark janë tashmë të mbuluara me shërbimin psiko–social, duke forcuar mbështetjen për nxënësit, prindërit dhe mësuesit.


