Njësia Administrative e Libonikut ishte sot qendra e një takimi të veçantë me fermerë dhe përfaqësues të institucioneve vendore, ku në fokus u vendos një shqetësim i madh i zonës: dëmtimi i tokave të mbjella nga bagëtitë.
Fermerët shprehën pakënaqësinë për hyrjen e përsëritur të bagëtive në arat e tyre, duke theksuar humbjet e konsiderueshme që u shkaktohen dhe cenimin e të drejtës së pronës. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e institucioneve rikujtuan se ligji është i qartë dhe parashikon ndëshkime të rënda për shkelësit, duke përmendur nenin 150 dhe 199 të Kodit Penal.
Në përfundim të diskutimeve u vendosën disa masa konkrete, si parandalimi i rasteve të përsëritura, ndërgjegjësimi i barinjve për detyrimet ligjore, forcimi i bashkëpunimit mes fermerëve dhe policisë, si edhe aplikimi i masave administrative për shkelësit.
Administratorja e Njësisë Administrative Libonik, Rudina Bregu, nënvizoi se vetëm përmes bashkëpunimit të komunitetit blegtor me institucionet mund të mbrohen investimet në bujqësi dhe të garantohen të drejtat e ligjshme të fermerëve.


