Bashkia Kolonjë, nën drejtimin e kryebashkiakut Erion Isai, ka vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” çiftin Nikolla dhe Rigoleta Bendo, për kontributin e tyre të çmuar në fushën e mjekësisë dhe në shërbim të komunitetit.
Me një veprimtari të gjatë dhe të përkushtuar, të dy mjekët janë dalluar për profesionalizmin, humanizmin dhe dinjitetin e treguar ndër vite, duke u bërë shembull i përkushtimit ndaj njerëzve.
“Kemi nderin që sot të vlerësojmë dy personalitete që i kanë shërbyer me pasion dhe përkushtim krahinës sonë. Mirënjohje për gjithçka kanë dhënë e japin ende për Kolonjën”, u shpreh kryebashkiaku Erion Isai gjatë ceremonisë.
Titulli “Qytetar Nderi” për Nikolla dhe Rigoleta Bendo është një shenjë respekti dhe falënderimi për kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në shëndetësinë vendore.


