Policia e Korçës ka zhvilluar një sërë veprimesh gjatë 24 orëve të fundit, duke ekzekutuar masa sigurie dhe arrestuar disa shtetas për vepra të ndryshme penale në qytetet e qarkut.
Në Pogradec, u kap dhe u vu në pranga shtetasi S. S., 30 vjeç, i shpallur më parë në kërkim, pasi akuzohet për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë. Ngjarja ka ndodhur më 11 janar 2025, kur gjatë një konflikti për motive të dobëta, ai ka goditur me mjet prerës një 23-vjeçar.
Po në këtë qytet, u arrestua shtetasi K. K., 47 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Korçës me 1 vit, 10 muaj e 3 ditë burg për “Prodhim dhe shitje narkotikësh”. Ndërkohë, u ndalua edhe R. K., 41 vjeç, banues në fshatin Guras, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për “Dhunë në familje”.
Në Ersekë, policia arrestoi në flagrancë shtetasin S. Sh., 36 vjeç, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa në Devoll, u procedua penalisht shtetasi E. M., i kapur duke kryer punime ndërtimi pa leje.
Në Maliq, policia referoi materialet në Prokurori pasi shtetasja J. P., 36 vjeçe, tentoi t’i jepte fund jetës duke konsumuar një sasi medikamentesh. Ajo ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Të gjitha rastet janë referuar për veprime të mëtejshme në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.


