Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, u bën thirrje mediave: “Mos e ktheni dhimbjen në garë për klikime!”
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, ka reaguar me tone të ashpra ndaj publikimit dhe shpërndarjes së një videoje të rëndë që lidhet me ngjarjen tragjike të ndodhur në nëntor të vitit të kaluar në Tiranë, ku humbi jetën një 14-vjeçar.
“Po ndjek me shumë shqetësim rrjedhën dhe shpejtësinë e shpërndarjes së një videoje që na kthen pas te ajo ngjarje e dhimbshme,” – shprehet Krasniqi, duke theksuar se disa media po publikojnë pamjet e momentit të para dhe pas vrasjes, duke shkelur rëndë etikën dhe ligjin.
Në deklaratën e saj zyrtare, ajo thekson se ndjeshmëria e publikut dhe interesi mediatik për ngjarjen është i kuptueshëm, por publikimi i videove të tilla është i papranueshëm dhe përbën shfrytëzim sensacional të një tragjedie njerëzore.
“Gara për shikueshmëri nuk duhet të vihet përpara etikës dhe ligjit”
Krasniqi nënvizon se në emër të interesit më të lartë të fëmijës dhe respektit ndaj dhimbjes së familjarëve, asnjë OSHMA (Organizatë e Shërbimit Mediatik Audioviziv) nuk duhet të transmetojë pamjet e rënda.
“Të nderuar kolegë, ruani etikën, respektoni dhimbjen e humbjes së një fëmije, respektoni kodet profesionale dhe ligjin,” – vijon ajo në thirrjen e saj publike.
AMA: Çdo shkelje do të ndëshkohet sipas ligjit
Kryetarja e AMA-s thekson se institucionet përkatëse janë duke ndjekur nga afër çdo rast dhe çdo shkelje do të trajtohet konform legjislacionit në fuqi. Ajo shpreh besimin se drejtuesit e edicioneve informative dhe mediat në përgjithësi do të tregojnë përgjegjësi maksimale për këtë situatë.
Thirrja përmbyllet me theksimin e nevojës për përputhje me Kodet e Transmetimit, ligjin “Për mediat audiovizive” në Republikën e Shqipërisë dhe standardet profesionale të gazetarisë etike.


