Në aksin rrugor Lozhan–Mesmal, në territorin e bashkisë Maliq, vijon me intensitet puna për pastrimin e masivit shkëmbor nga shtrati i rrugës, me qëllim garantimin e qarkullimit drejt fshatrave Velçan, Selcë, Mesmal dhe Niçë.
Aktualisht në terren janë të angazhuar mjetet dhe punonjësit e Bashkisë Maliq, si edhe sektori i Emergjencave Civile pranë prefekturës, të cilët po ndërhyjnë për normalizimin e situatës së krijuar nga rrëshqitjet e dherave dhe bllokimet masive. Për shkak të terrenit të vështirë, aktivizimi i më shumë mjeteve nuk është i mundur në këtë fazë, megjithatë një ekskavator shtesë është stacionuar pranë zonës së ndërhyrjes dhe do të vihet në përdorim në fazën e dytë, pas përfundimit të pastrimit të rreth 250 metrave të segmentit problematik.
Ndërhyrjet në këtë aks kanë nisur që gjatë ditës së djeshme dhe kanë vijuar edhe sot. Deri tani, me përdorimin e një ekskavatori me zinxhir, është arritur të pastrohet rreth 50% e gjatësisë së masivit shkëmbor, dhe punimet vijojnë me ritëm.
Autoritetet shprehen optimiste se gjatë ditës së sotme aksi mund të hapet për qarkullim, duke lehtësuar lëvizjen e banorëve dhe garantuar aksesin në zonat e thella rurale.


