Niko Peleshi ka shkruar në faqen e tij facebook se investimet në Korçë nuk do të mungojnë, ai së bashku me instanca të tjera po punojnë për gjetje dhe sfida sesi ta bëjnë Korçën atrakrive për të rinjtë dhe profesionistët.
Ai gjithashtu ka mdarë disa pika pozitive që ka marrë dukshëm Universiteti i Korçës.
Ja çfarë ka shkruar ai;
LAJME TË MIRA PËR UNIVERSITETIN
Sot, sfida më kritike për Korçën si bashki dhe si rajon është demografia. Pra, si ta bëjmë Korçën atraktive për të rinjtë dhe profesionistët.
Ka vetëm një përgjigje: së pari, të krijojmë mundësi shkollimi bashkëkohor dhe të përballueshëm dhe, së dyti, të krijojmë mundësi punësimi për të rinjtë.
Nëse duam ta thjeshtojmë më tepër, mund të lëmë vetëm të parën, sepse e dyta është rrjedhim. Pra, nëse do t’i japim vlerë diplomës së universitetit tonë Fan S. Noli dhe nëse do të prodhojmë profesionistë të pajisur me njohuritë e kohës, oferta e punës do të vijë, qoftë përmes industrive që rialokohen aty ku gjejnë staf (sidomos bizneset teknologjike), qoftë përmes mundësisë së artë të punës online. Universiteti, universiteti, universiteti. Aty duhet të përqendrojnë sot të gjitha forcat, lidershipi i universitetit, stafi akademik, bashkitë e qarkut, institucionet qendrore dhe rajonale dhe çdo aktor që ka mundësi të japë një dorë.
Nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të guxojmë të jemi më të mirët. Historia jonë e përbashkët na jep shembuj se si ia dolën të parët tanë.
Tani është radha jonë.
E dimë në ç’pikë ndodhemi, e dimë edhe ku duhet të arrijmë:
•Universiteti Fan S. Noli – modeli më i shkëlqyer i arsimit të lartë në Shqipëri.
•Universiteti Fan S. Noli – universiteti më i ndërkombëtarizuar në vend, me programe të përbashkëta me universitete të njohura ndërkombëtare.
•Universiteti Fan S. Noli – kampioni i kërkimit shkencor dhe zhvillimit të gjetjeve shkencore në bashkëpunim me aktorët e tregut.
Puna ka filluar dhe unë dua të ndaj këtu 2-3 zhvillime pozitive në të cilat kam dhënë mbështetje modeste, krahas shumë përpjekjeve që stafi akademik i universitetit bën çdo ditë:
1. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Ogerta Manastirliu, me mbështetjen e Fondacionit Shqiptar-Amerikan për Zhvillim AADF, ka kontraktuar 3 ekspertë nga diaspora shqiptare në SHBA me përvojë të vyer si profesorë dhe kërkues shkencorë në disa universitete të SHBA, për të përkrahur procesin e reformimit të universitetit Fan S. Noli. Së bashku me ministren zhvilluam një bisedë të parë me ta dhe së shpejti do të fillojë puna në bashkëpunim me lidershipin dhe delartamentet e universitetit.
2. Së bashku me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Anila Denaj, zhvilluam një takim të frutshëm me pedagogët e fakultetit të Agronomisë. Hapja e laboratorit të analizave të tokës, lidhja e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore me fakultetin e Agronomisë dhe mbështetja e qendrave të kërkimit shkencor të lidhura me nevojat e fermave të rajonit do të jenë objekt i punës së një grupi punë që po ngrihet për këtë qëllim në MBZHR.
3. Rektori i Universitetit Politeknik, z. Andrea Maliqari, dhe rektori i Universitetit Fan S. Noli, z. Dhimitër Bello, firmosën në fundjavë marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve, që do të jetë kuadri ku do të marrin jetë programe të përbashkëta në profile bashkëkohore. Me besim që do të kemi disa surpriza të bukura më vonë.
4. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka nisur procedurën për restaurimin e ndërtesës historike të ish-senatoriumit (dhuruar nga filantropi Thoma Turtulli) dhe ndërtimin e një kompleksi të ri të dijes. Kjo njësi e re do të jetë një hapësirë e shtuar për universitetin, për të zhvilluar programet e reja inovative. Universiteti Fan S. Noli, në bashkëpunim me FSHZH dhe bashkinë Korçë, tani duhet të punojë paralelisht për të bërë gati programet e reja në partneritet me universitetet e mirënjohura, që do të mbushin me studentë të shkëlqyer hapësirat moderne të këtij kompleksi të dijes. Me këtë kompleks, universiteti Fan S. Noli siguron një infrastrukturë moderne dhe të mjaftueshme për të akomoduar jo vetëm studentët korçarë, por edhe të tjerë nga Shqipëria dhe vendet e rajonit.
Gjithçka është e mundur nëse besojmë dhe punojmë të gjithë dhe çdo ditë.


