Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit mësimor, me synim ofrimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësuesit. Një ndër vendimet më të rëndësishme mbetet shpërndarja falas e librave shkollorë për të gjithë nxënësit e sistemit parauniversitar, çka lehtëson familjet dhe u garanton fëmijëve mundësi të barabarta në ndjekjen e mësimeve.
Drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Korçë, Vinjola Rota, bëri të ditur se janë emëruar mësues në të gjitha shkollat e qarkut, duke siguruar stafin e plotë pedagogjik për çdo klasë. Gjithashtu, në mbështetje të nxënësve do të jenë edhe 24 psikologë shkollorë dhe 29 punonjës socialë, të cilët do të ndihmojnë në aspektin emocional dhe social, duke forcuar lidhjen mes nxënësve, prindërve dhe mësuesve.
Një tjetër element i rëndësishëm është rritja e sigurisë në ambientet arsimore. Për këtë qëllim janë caktuar 19 oficerë sigurie, të cilët do të kujdesen për parandalimin e fenomeneve negative dhe menaxhimin e situatave problematike, duke garantuar një mjedis sa më të sigurt dhe të shëndetshëm për zhvillimin e procesit mësimor.


