Gjendja shëndetësore e tri motrave të moshës 3, 7 dhe 11 vjeç, të cilat pak ditë më parë u shtruan në spital në gjendje të rëndë pas konsumimit të disa karameleve ku dyshohet se kishte përbërës narkotikë të llojit cannabis sativa, është përmirësuar ndjeshëm.
Burime pranë shërbimit pediatrik të spitalit rajonal të Korçës bëjnë me dije se vajzat 7 dhe 11 vjeç ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe në gjendje të qëndrueshme. Ndërsa e vogla, 3 vjeçe, megjithëse e stabilizuar, vijon të mbahet nën mbikëqyrje të veçantë nga mjekët e reanimacionit.
Ngjarja shkaktoi reagime të forta në opinionin publik, pasi tre të miturat u dërguan me urgjencë në spital pas konsumimit të produkteve të ëmbla të dyshuara me lëndë narkotike. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe për të zbuluar mënyrën se si këto karamele përfunduan në duart e fëmijëve.


