Në një ceremoni të veçantë, u inaugurua sot selia e re e Konsullatës së Përgjithshme Greke në Korçë, një hap i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Në ceremoni morën pjesë Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, z. Igli Hasani, dhe homologu i tij grek, z. Giorgos Gerapetritis, të cilët vlerësuan këtë ngjarje si një simbol të miqësisë, bashkëpunimit dhe vizionit europian që bashkon të dy vendet.

Rikthimi i Konsullatës në këtë ndërtesë historike lidhet gjithashtu me figurën e poetit dhe diplomatit grek Jorgo Seferis, laureat i Çmimit Nobel, i cili ka shërbyer dikur si Konsull i Përgjithshëm në Korçë. Për Seferisin, qyteti ishte jo vetëm vend shërbimi diplomatik, por edhe një burim frymëzimi poetik që shënjoi veprën e tij letrare.
Në fjalimet e tyre, përfaqësuesit e të dy vendeve theksuan se komunitetet shqiptare dhe greke mbeten ura të forta lidhëse për marrëdhënie edhe më të ngushta në të ardhmen, ndërsa e ardhmja europiane e dy vendeve mbështetet në fqinjësi të mirë dhe vlera të përbashkëta.
Konsullata e re Greke në Korçë pritet të shërbejë si një pikë referimi për bashkëpunim diplomatik, kulturor dhe ekonomik mes dy vendeve fqinje.


