Close Menu
KolibriKolibri
    Më të klikuarat

    Nga Pogradeci, ministri i Bujqësisë: Do të ketë dëmshpërblim për fermerët e prekur nga përmbytjet

    January 19, 2026

    Censusi i shpendëve dimërues në Liqenin e Pogradecit, rritje e ndjeshme e numrit të tyre

    January 19, 2026

    Dorian Potka, i riu që la emigrimin dhe ngriti akademi të arteve marciale në Korçë

    January 19, 2026
    Facebook X (Twitter) Instagram
    KolibriKolibri
    • Kreu
    • Aktualitet
      • Politikë
      • Kronikë
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Bota
      • Kulturë
    • Korça +
      • Korçë
      • Pogradec
      • Devoll
      • Kolonjë
      • Maliq
      • Pustec
    • Opinion
    • Personazh
    • Showbiz
    • Sport
    KolibriKolibri

    Petrit Zeneli; “Ka perëndi, Grabocka po bëhet me rrugë”

    Opinion November 26, 2023
    Shpërndaje
    Facebook Twitter LinkedIn Pinterest Email

    Ka perëndi! … vonon por s’harron! Ka edhe gëzim me derte e vajtim…!

    Si një bekim nga qielli vjen lajmi më i bukur dhe më i paimagjinueshëm, në këtë prag feste, për gjithë grabockallinjtë, pas dekada e dekada lutjesh, ëndërrash e rënkim harrese!

    Desktop Promo
    Desktop Promo

    Besomëni! Edhe Grabocka e Korçës, më në fund u bë me rrugë automobilistike, 5 km larg nga Panariti.. e lotët s’i mbajmë dot.., lot ngazëllimi, lot përvëlues, lot zbrazje dufi e gulçi…, se na erdhi nga s’e prisnim! Erdhi si dhuratë nga një besimtar i devotshëm, nga një pelegrin bektashi, biznesmen i mirënjohur korçar e humanist, me emrin Festim, si për festa..! Erdhi si homazh e nderim dedikuar shenjtit Dervish Sali Bako e tyrbes së tij vakëf, në këtë fshat, që atij vet e brezave të tërë, nga vendi e bota, u ka ndihur e dhënë veç fat e bekime!

    Erdhi pasi vet pelegrini ynë zemërbardhë udhëtoi me familjen e të afërmit në këto rrugë sfilitëse, ku s’kish ku të vinte thundrën mushka, dhe…dërsirë, por plot dëshirë, mbi varrin e shenjtit mbuluar me cohë jeshile bëri betimin: “ndjesë ju banorëve vendas e gjithë ju bashkëvuajtës të mi, që bëni kaq shumë sakrifica për të ardhur deri këtu të faleni, luteni e ndizni qirinj, në kujtim të atyre që kini humbur,.., që të marrë fund ky kalvar.., rrugën do t’ua bëj unë!”

    Me siguri ishte fshati i vetëm dhe i fundit në Shqipëri, që nuk kishte rrugë makine,…dhe kush?! Fshati i njerëzve të ditur e punëtorë, personaliteteve të artit, kulturës dhe shkencës, bukuroshes së fjetur me resurset më të mëdha natyrore në krahinë, hambari i Vakëfeve dhe simbol i blegtorisë! E tashmë, vetëm në vitin 2023, u bëmë si të tjerët, me një ndryshim, se ne i gëzohemi si fëmijë sot edhe një traseje me baltë e përrenj, kurse të tjerët, me të drejtë, ankohen ekraneve e rrjeteve sociale për gropa, ura, asfalt, trotuare e ndriçim!

    Ç’duhet të themi për vete në këtë rast.., sa bukur apo sa turp…?! Oh si nuk çahesh ti gjoks, si duron ti Guriolik, që edhe nipër e mbesa, qyteteve a nëpër botë, s’na kuptojnë dot pse dikur mallkonim, e pse me lot sot e shprehim këtë gëzim!

    Mungesa e rrugës, e cila në kohën e kooperativave vetëm sa na kish joshur, ishte një dhimbje deri në kockë, një fyerje, një dëshirë e përdëllim arkivuar në letrat dekadash drejtuar qeverive lart (përfshi atin tim), një shpresë e fosilizuar në shpirt brezave të tërë, gjysh-stërgjyshër patriotë, nënash e baballarësh atdhetarë, që këmbët thyen e kockat lanë nëpër rrugë dhish, shekujsh, ikur në atë botë pa e parë. Tani do vemë tek varri, t’u japim sihariqin, që me siguri nga brenga dheu s’i ka tretur, s’do na besojnë, e gurët tek koka habitur do heshtin.

    Barra na mbeti ne brezit të moshuar gjallë, që jemi lutur, përgjëruar e kacafytur me shtet, të realizonim këtë ëndërr e çonim në vend një amanet, por siç po frynin erërat, po na priste fati i etërve. Ndaj tani, personalisht, kurdo që të vdes, iki i përmbushur,…vdes i qetë, i realizuar në njërën prej pikave më kryesore të programit të Shoqatës së Vakëfeve, që krahas shkrimit të historisë, ta shihnim krahinën me rrugë cep më cep! Ndjesë për këtë kërkesë “idiote” minimaliste, tani në shekullin e XXI, kur njerëzimi tenton të fluturojë me makinë-avion e dronë, kurse ne përjetojmë më të madhin paradoks! Gjënë më absurde kërkonim, më qesharaken…rrugë ore rrugë për rrotën.. që bota ia çon edhe një bariu majë mali në stan, kafshëve të egra ose pyjeve të mbrojtur.

    Me detyrim duhej të na i bënin, e tokën, vendlindjen mos braktisnim, por, na numronin…sa shtëpi jeni (një.. tre…pesë..), ooo…s’ju takon, s’llogriteni njerëz, ikni po deshët….s’kemi interes, do bëjmë autostrada plazheve e qyteteve.., shitini bagëtitë, lërini pyje, ujra e kullota t’i vjedhin…!

    E shpartalluam komunizmin, që thosh “do e bëjmë fshatin si qytet”, edhe kinezërinë “fshati të rrethojë qytetin”, kurse ne qytetin do e bëjmë fshat, ku çdo gjë prodhohet vet, le të mos ketë njerëz; … por ama edhe kapitalizmit qindin i punuam, i dhamë tokë dhe e mbolli ferrë..!

    Pse.., rruga e ka fajin?! – thotë dikush.

    Jo, keni të drejtë, i kemi parë edha ata që asfalti u vajti te dera, zhëmblin i kanë bërë gjithë asaj djerse! Troç dua ta them! Në mes shumë e shumë difekteve tona si komb, arratisur sot nëpër glob, dashuria për pronën (shtëpinë dhe tokën) paska qenë më i madhi fallsitet, ndaj pushtuesit e panumërt kohërave (pavarësisht gjakut arbëror e krismave të dyfeqeve) na i kanë rrëmbyer aq lehtë. Shembulli është edhe sot, ndonëse pa pushtues, djerr e gërmadha i kthyem, nga inati i gjithë qeverive këtyre 30 vjet.

    Oh sa gjynahe kanë politikanët tanë dhe qeveritë e çdo kohe, por asnjë të larguar kund, se ka penguar njeri të vijë e të zerë pikën e çatisë që mos rrëzohet, apo t’i bëjë kanale kulluese tokës mos shplahet e kthehet në lerë. Kështu bënin gjyshrit tanë emigrantë, dikur, që çdo lek gjaku andej, vinin e hidhnin këtu, për ta trashëguar ne.

    Faleminderit, i dashur Festim Lami, që na solle dritë, na dhe një mësim, na shtove vite jetë e ktheve dinjitetin! Mirënjohje përjetësisht filantropisë tuaj, shpërblyer familjarisht me shëndet e suksese brez pas brezi, borxh të jemi!

    Faleminderit ju mjeshtrat e fadromave, Turi i Lavdarit, Koço Hysi e Fatjon, që atje në skajin më fundor të Korçës, me sakrificën, talentin dhe besimin tuaj në zot, sfiduat hone e ckërrka, dhe histori shkrojtët! Misioni duhet të vazhdojë, për të mos na ikur nga duart dhe zhvilluar më tej këtë dhuratë, simbol qytetërimi, patjetër me ndihmën e pushtetit lokal!

    Le ta justifikomë, t’ia dimë kimetin, nuk sjell gjithmonë lumi “kërcunj” apo “shkëmbinj”! Jemi vetëm 4 km larg fshatit Melckë, me rrugë të rregullt, një alternativë më e besueshme dhe e natyrshme për lidhjen Korçë-Skrapar.

    Ta gëzojmë të gjithë së bashku, bashkëfshatarë e bashkëqytetarë! Tashmë, tek Ura e Floqit, ku ndahet rruga drejt Vithkuqit e Panaritit, si pikë fundore në tabelë, edhe emri Grabockë duhet të shkëlqejë! Djem e vajza panaritas e grabockallinj biznesmenë, nëse doni famë e shkëlqim përjetë të kini, pak më tepër krenari, ambicje e sedër për vendlindjen tuaj, pa u kursyer, si etërit, që sa jetë patën, të parët e të parëve në ato treva e në Shqipëri mbetën! Të shpreh gëzimin tim me tërë fuqinë, së fundi, vargjet Naimiane për ndihmë po thërres:

    “Hapu hapu errësirë

    Pa jakë këtu o dritë (hidhi sytë nga Guriolik) /

    Se arriti kohë e mirë /

    U gdhi nata u bë dritë…!”

    Ka Perëndi.., vonon por s’harron! Ka edhe gëzim me derte! Nuk mbaron me kaq kjo lumturi, një ditë të bukur e plot diell, do mblidhemi të gjithë së bashku tek i famshmi Bregu i Kulës, me makinat “Jeep” e “Toyota”, në më të madhen festë! – Ç’na i përmend makinat, sikur s’kemi parë të tilla?! – më komentonte në fb, një shqiptaro-amerikan krekosur, kur unë ekzaltohesha që në festën e Panaritit parvjet numroheshin rreth 100 makina. Po ku kuptonte dot ai se ç’do të thoshte ky fakt, kur të urtëve e të vuajturve panaritas u piqej buza për pak rrugë e një makinë, qoftë edhe rrangallë, veç jetën t’u shpëtonte.

    Të gjithë e kemi gjezdisur botën dhe makinat na kanë ardhur në majë të hundës, por ëndërr është t’i shohësh ato edhe atje ku largësia trëmb, padrejtësia mbulon xhevahirë; zemra sa s’çahet e ngashërimën s’e mban dot rreth vartës ku hiri ruan poshtë tij aromën prindërore, ikur pa kthim, dhe kujtimet e fëmijërisë, venitur e mbetur jetim. Ëngjëll më dukesh tani Grabockë e dashur! Edhe ti, çudibërsja Tyrbe, njësh me perëndinë, që ruan në gjirin tënd Dervish Salinë, klerik qelibar e patriot melhem, roje që nga lart dërgon veç bekime!

    Desktop Promo
    Mobile Promo
    djathtas
    Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Telegram Email
    Desktop Promo
    Mobile Promo

    Postime të ngjashme

    Narcizmi në Shqipëri: kur abuzimi shitet si autoritet dhe trashëgohet si vlerë

    January 10, 2026

    Kapshticë/ Kapet në kufi 41-vjeçari në kërkim për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit

    December 31, 2025

    Korçë | Arrestime dhe procedime penale për vjedhje, dhunë në familje, konflikte dhe baste sportive

    December 29, 2025
    Leave A Reply Cancel Reply

    Max Winery
    Eco Concept
    Mjalti Morava
    Minutë pas minute

    Nga Pogradeci, ministri i Bujqësisë: Do të ketë dëmshpërblim për fermerët e prekur nga përmbytjet

    January 19, 2026

    Censusi i shpendëve dimërues në Liqenin e Pogradecit, rritje e ndjeshme e numrit të tyre

    January 19, 2026

    Dorian Potka, i riu që la emigrimin dhe ngriti akademi të arteve marciale në Korçë

    January 19, 2026

    Dardha magjike e mbuluar nga dëbora

    January 19, 2026

    Goditi punonjësin e sigurisë në spitalin e Korçës, procedohet penalisht 40-vjeçari

    January 17, 2026

    Vjedhje milionëshe në postë, procedohen dy punonjëse në Devoll

    January 17, 2026
    Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Pinterest
    • Instagram
    • YouTube
    • Vimeo
    Kolibri

    Kolibri.al është një platformë dixhitale informimi dhe promovimi të njerëzve dhe territorit në rajonin e Korcës. Në kontakt të përditshëm me terrenin dhe lajmin, synojmë te sjellim të vërtetën me profesionalizëm dhe etikë.

    Facebook X (Twitter) Pinterest YouTube WhatsApp
    Kryesore

    Nga Pogradeci, ministri i Bujqësisë: Do të ketë dëmshpërblim për fermerët e prekur nga përmbytjet

    January 19, 2026

    Censusi i shpendëve dimërues në Liqenin e Pogradecit, rritje e ndjeshme e numrit të tyre

    January 19, 2026

    Dardha magjike e mbuluar nga dëbora

    January 19, 2026
    Më të klikuarat

    Goditi punonjësin e sigurisë në spitalin e Korçës, procedohet penalisht 40-vjeçari

    January 17, 2026

    Vjedhje milionëshe në postë, procedohen dy punonjëse në Devoll

    January 17, 2026

    “Artisti i Merituar” Jani Riza, 35 nga largimi i tij “pabesisht” nga skena dhe ekrani

    October 24, 2023
    © 2026 kolibri.al. Crafted by BeeTech Solutions
    • Kontakt
    • Politikat e privatësisë

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.