Në shkollën 9-vjeçare “Stavri Themeli” në Korçë është finalizuar me sukses projekti edukativ “Zëri i Shkollës”, një podcast i krijuar në kuadër të Shkollës së Drejtorëve, si rezultat i punës dhe përkushtimit të aspirantëve Viola Rushi, Artur Mano dhe Sonila Jaupllari.
Kjo ide, e lindur gjatë praktikës profesionale, u mbështet fuqishëm nga drejtuesja dhe stafi i shkollës, duke u kthyer në një produkt konkret që jo vetëm do të mbetet si kujtim, por do të shërbejë edhe si një formë e re komunikimi në komunitetin shkollor. Podcasti është menduar si një platformë ku nxënësit shprehin mendimet, emocionet dhe kreativitetin e tyre, duke reflektuar energjinë pozitive që karakterizon jetën e përditshme në shkollë.
Gjatë inaugurimit të podcastit, në ambientet e shkollës ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve vendore, të cilët vlerësuan këtë nismë si një shembull frymëzues të bashkëpunimit, inovacionit dhe përfshirjes së të rinjve në projekte me vlera edukative. “Zëri i Shkollës” tashmë do të jetë një zë i përhershëm që do të dëgjohet përtej mureve të klasave.


