Një ari i murrmë që kishte rënë në çark në zonën e Trebinjës, në Pogradec, është shpëtuar me sukses falë një operacioni të koordinuar mes disa institucioneve të specializuara.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje u angazhuan ekipet e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, AdZM Korçë, Qendra AWRT, stafi i Kopshtit Zoologjik të Tiranës dhe organizata PPNEA. Specialistët ndërhynë me mjete të posaçme për lirimin e kafshës dhe sigurimin e transportit të kontrolluar.
Ariu ndodhet aktualisht në gjendje të mirë shëndetësore dhe është pajisur me një GPS në qafë, për të monitoruar lëvizjet e tij dhe për të garantuar mbrojtjen e tij në habitatin natyror.
Në kushtet kur pak ditë më parë u humb një tjetër ari në të njëjtën zonë, institucionet u bëjnë thirrje banorëve, turistëve dhe autoriteteve vendore të raportojnë menjëherë çdo rast të ngjashëm, si dhe çdo kafshë të egër që mund të gjendet në vështirësi.
Strukturat përgjegjëse falënderojnë Policinë e Shtetit, Kopshtin Zoologjik të Tiranës, PPNEA, Qendrën AWRT dhe të gjithë ata që kontribuan në ndërhyrjen e shpejtë dhe të suksesshme.


