Policia e Pogradecit ka vënë në pranga një 48-vjeçar, i cili akuzohet për vjedhje të përsëritura të kabllove të ndriçimit publik në qytet dhe zonat përreth.
Sipas burimeve zyrtare, në pranga ka rënë Arjan Tare, me origjinë nga Podgoria e Maliqit dhe banues në Vërdovë të Pogradecit, i cili u kap në flagrancë në zonën e Unazës së qytetit, teksa tentonte të vidhte sërish kabllot elektrike të shtyllave të ndriçimit.
Policia kishte prej kohësh në ndjekje 48-vjeçarin, pas denoncimeve të shumta nga institucionet lokale dhe qytetarët, lidhur me dëmtimin e infrastrukturës së ndriçimit publik.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u gjet një sasi e konsiderueshme kabllosh të dyshuara si të vjedhura, ndërsa hetimet paraprake tregojnë se një pjesë e tyre janë shitur nga autori.
Nga të dhënat e deritanishme, Tare dyshohet të jetë i përfshirë në dhjetëra raste vjedhjesh, si në qytetin e Pogradecit ashtu edhe në fshatrat përreth. Ndër rastet më të rënda përmendet vjedhja e rreth 1000 metrave kabëll në aksin Pogradec–Qafë Plloçë, segment që ka mbetur në errësirë për një kohë të gjatë, duke rritur rrezikun për drejtuesit e mjeteve dhe banorët.
Policia nuk përjashton mundësinë e bashkëpunëtorëve, ndërsa nga dëshmia e të arrestuarit pritet të sigurohen të dhëna të tjera që mund të ndihmojnë zbardhjen e plotë të rasteve.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme në ngarkim të shtetasit Arjan Tare, me akuzat për vjedhje të infrastrukturës publike dhe dëmtim të pronës.


