Pogradeci një qytet i paqtë,i pastër i zbukuruar plot lule e gjelbërim, buzë liqerit të Lasgushit të madh, busti i të cilit së bashku me atë të Kutelit ngrihen madhështor në sheshin e bukur në qendër të tij, ku në stolat në forme libri lexon vargje apo thënie për dashurinë dhe atdheun.
Pushimi këtu, qoftë dhe një fundjavë, është një relaks i vërtetë. Në Pogradec është e vërtetë gjithçka flitet mbi mikpritjen, kulinarinë si dhe çmimet e arsyeshme për turistët shqiptarë apo të huaj.
Vëren sa herë vjen në këtë qytet se bashkia Pogradec me punonjësit e saj punojnë dhe zbukurojnë qytetin çdo ditë e me shumë. Prandaj ndihem shumë mirë kudoherë që vij këtu, dimër apo verë qoftë, ku ruhet harmonia me natyrën e bukur.
Pogradeci kontraston me situatën e ndonjë qyteti tjetër bregdetar, ku rrëmuja e ndërtimeve apo çmimet abuzive dëmtojnë kënaqësinë e pushimit. Në shëtitjen e mëngjesit apo mbrëmjes në Pogradec sheh ngado punonjësit e palodhur të gjelbërimit që kujdesin lulet apo ata që pastrojnë bregun e liqerit.
Këtu të shoqëron kuponi tatimor për çdo pagesë në dyqan, fenomen pothuajse i munguar në Sarandë. Shqipëria është e bekuar me natyrën e bukur (dete, liqene, male, lumenj), që kthehet vërtet në pasuri të qytetarëve të saj kur menaxhohet me dashuri e përgjegjësi.
Pogradeci karakterizohet nga një zhvillim i qëndrueshëm. Ai po vizitohet dimër e verë çdo vit e më shumë, falë vizionit zhvillimor, jo grabitqar të qytetarëve por dhe drejtuesëve lokalë.