Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka bërë me dije se gjatë kontrolleve dhe veprimeve procedurale të fundit janë ndaluar dhe proceduar disa shtetas të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec ndaluan 62-vjeçarin J. B., banues në Pogradec, i dënuar nga Gjykata e Korçës me 8 muaj burgim për veprën penale “Dhuna në familje”.
Po në Pogradec, nisi procedimi penal për 40-vjeçarin R. H., i cili dyshohet se i ka vjedhur një shumë lekësh një 52-vjeçari, në ambientet e një lokali në lagjen nr. 5.
Nga Komisariati i Policisë Korçë, u shpall në kërkim 40-vjeçari M. B., pasi dyshohet se për motive të dobëta është konfliktuar dhe ka kanosur me fjalë një 42-vjeçare. Ndërkohë, ndaj 25-vjeçarit E. L. filloi procedimi penal, pasi akuzohet se ka goditur me grushta një 53-vjeçar.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori për 53-vjeçarin S. J., banues në fshatin Sheqeras, i dyshuar për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Materialet procedurale për të gjitha rastet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.


