Gjatë ditëve të fundit, shërbimet e Policisë në qarkun Korçë kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për të garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve. Në Devoll, policia arrestoi në flagrancë shtetasin 54-vjeçar G. C., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij. Ndërsa në Maliq, A. L., 53 vjeç, u ndalua për ekzekutimin e një vendimi të Gjykatës së Korçës, ku ishte dënuar me 6 muaj burg për dhunë në familje. Po në këtë qark, filloi procedimi penal për I. Z., 54 vjeç, banues në Kolanec, i cili dyshohet se ka kanosur vëllanë e tij për motive të dobëta.
Në qytetin e Korçës, Policia referoi në Prokurori materialet për J. M., 28 vjeç, i cili dyshohet se ka mashtruar një 27-vjeçare, duke i marrë një shumë parash. Ndërkohë, në Pogradec, F. T., 54 vjeçe, në gjendje të rënduar psikologjike, konsumoi një sasi medikamentesh dhe po merr ndihmë mjekësore në spital, duke qenë jashtë rrezikut për jetën.
Një tjetër incident u regjistrua në rrugën e Volorekës, ku automjeti i drejtuar nga E. E., 28 vjeç, u përplas me makinën e 74-vjeçarit B. G., i cili pësoi lëndime të lehta. Po në Kolonjë, gjatë prishjes së një godine, policia gjeti një armë zjarri tip kallashnikov dhe municion luftarak, të cilat do të dërgohen për ekspertizë në Institutin e Policisë Shkencore.
Gjithashtu, specialistët e Hetimit të Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori për J. S., 27 vjeç, dhe A. Xh., 67 vjeç, të dy banues në Elbasan, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Të gjitha materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme ligjore.


