Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë ka intensifikuar kontrollet në pikat e kalimit kufitar, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive. Si rezultat, janë arrestuar, ndaluar dhe proceduar penalisht 8 shtetas për vepra të ndryshme penale.
Në PKK Kapshticë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, u ndaluan dy shtetas të shpallur në kërkim: një 26-vjeçar nga Elbasani, i dënuar me burgim për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, si dhe një 33-vjeçar nga Pogradeci, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për “Prodhimin dhe shitjen e narkotikëve”.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë një 46-vjeçar nga Lezha për kontrabandë mallrash, pasi u kap në PKK Kapshticë me rreth 1506 kg mjaltë pa kryer procedurat doganore. Sasia u sekuestrua si provë materiale.
Policia goditi edhe një tjetër rast kontrabande, ku u procedua penalisht një 35-vjeçar nga Paskuqani, pasi në automjetin e tij u gjet një sasi vaj ulliri pa dokumentacion, e dyshuar e kontrabanduar nga Greqia. Për këtë rast u procedua edhe një doganier në PKK Kapshticë, për shpërdorim detyre.
Ndërkohë, u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe tre shtetas për “Kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror”, pasi dyshohet se kanë kaluar kufirin nga Greqia drejt Shqipërisë në mënyrë të paligjshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.


