Është organizuar këtë të martë në Korçë një veprimtari kulturore për prezantimin e numrave të botuar të revistës “Illz” dhe numrit special të saj, me poezitë e zgjedhura të poetit korçar Skënder Rusi.
Ky aktivitet ishte një mundësi për të gjithë dashamirësit e letërsisë, për të njohur më afër këtë revistë kulturore, e cila është bërë një platformë e rëndësishme për poezinë dhe letërsinë bashkëkohore, por edhe për tu njohur me krijimtarinë e lirikut korçar Skënder Rusi si autor i disa vëllimeve me poezi, të vlerësuara me çmime dhe të përfshira në disa antologji kombëtare dhe ndërkombëtare.
Emocionet e kësaj veprimtarie ka ndarë me të pranishmit edhe djali i tij Eris Rusi.
Kjo veprimtari kulturore është organizuar nga Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë, Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin “Fan Stiljan Noli” në Korçë.