Rreth dy muaj më parë u përurua një nga investimet infrastrukturore më të rëndësishme në juglindje të vendit, rruga Maliq–Lozhan, pjesë e aksit kombëtar Maliq–Gramsh. Megjithatë, ky segment rrugor ka shfaqur tashmë problematikat e para.
Në zonën e njohur si “Tylbja e Goçës”, një pjesë e trupit të rrugës ka pësuar rrëshqitje. Aktualisht, për të sinjalizuar rrezikun për drejtuesit e mjeteve, janë vendosur dy tabela paralajmëruese për punime në rrugë, edhe pse rrëshqitja ka ndodhur rreth një javë më parë dhe deri tani nuk është ndërmarrë asnjë masë konkrete.
Burime zyrtare nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në juglindje konfirmojnë ekzistencën e problemit dhe sqarojnë se rruga ndodhet ende në periudhën e garancisë. Për këtë arsye, është kontaktuar firma kontraktore, e cila pritet të ndërhyjë për riparimin dhe rehabilitimin e zonës së dëmtuar.


