Një sërë procedimesh penale janë regjistruar nga strukturat e Policisë në qarkun e Korçës, si rezultat i kontrolleve dhe veprimeve hetimore të kryera gjatë ditëve të fundit. Në Korçë, ka nisur procedimi penal ndaj një 28-vjeçari, pasi gjatë kontrollit të celularit në lokalin ku ndodhej, iu konstatuan faqe aktive për baste sportive, ndërsa në Pogradec një shtetas po hetohet për konflikt fizik me një tjetër person, për motive të dobëta.
Në Devoll, Policia ka referuar materialet në Prokurori ndaj një 43-vjeçari nga Bilishti, i dyshuar për falsifikim dokumentesh të një automjeti, me qëllim kalimin e tij në pronësi personale. Po në Bilisht, ka nisur procedimi penal edhe për një 17-vjeçar, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një mjet prerës, thikë.
Ndërkohë, në Ersekë ka nisur procedimi penal ndaj një 50-vjeçari, i cili nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për paraqitjen e dokumentacionit të automjetit. Po ashtu, në fshatin Dardhë të Korçës, një 90-vjeçare është gjetur pa shenja jete në banesën e saj, ku nga veprimet e para hetimore dyshohet se humbja e jetës ka ardhur për shkaqe natyrale. Materialet për të gjitha rastet i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.


