Vaske Kosta, njeriu i dashur i qytetit të Korçës, aq shumë i respektuar në juglindje. Niko Peleshi, ministri i mbrojtjes, njëkohësisht një nder miqtë e tij më të mirë i ka dedikuar një shkrim prekës në rrjetet sociale.
Postimi i Niko Peleshit;
Sot iku një njeri i mirë i qytetit tim.
Mbase më i miri!
Vaska nuk është më mes nesh. Iku pa na lajmëruar e pa u ankuar. Mori me vete buzëqeshjen më të dlirë, zërin më të ëmbël, shpirtin më pozitiv dhe thjeshtësinë më të madhërishme që unë kam njohur.
Ti ishe më shumë se shok, më shumë se vëlla, më shumë se një korçar i mirë.
Ishe Vaska!
Ti dije të gëzoheshe për çdo grimcë të jetës dhe të merakoseshe për çdo humbje. Sot të gjithë, sepse të gjithë të njihnin dhe të donin, janë zgjuar me një PSE.
Edhe unë.
Arsyen pse ike kaq shpejt nuk do ta kuptoj kurrë, por di që batutat e bukura, fjalët e mençura, brohoritjet apo psherëtimat para ekranit kur fitonte apo humbte skuadra jote e zemrës, përshëndetjet e buzëqeshura që shpërndaje për të gjithë, bisedat e këndshme të veshi në berberanen tënde të famshme, do të jenë për shumë kohe me ne.
Na mbetet të kujtojmë të vjetrat sepse të reja nuk do të ketë më
Sot iku një njeri i mirë i qytetit tim.
Mbase më i miri!