Gjatë 24 orëve të fundit, reshjet e pandërprera kanë vijuar të ndikojnë në territorin e qarkut Korçë, duke shkaktuar problematika të ndryshme, kryesisht në zonat rurale dhe pranë rrugëve dytësore.
Ndërhyrjet në kohë të ekipeve të emergjencave dhe strukturave vendore kanë bërë që situata të stabilizohet në shumicën e bashkive, ku uji është tërhequr dhe terreni po i kthehet normalitetit.
Në bashkitë Korçë, Pustec, Devoll dhe Pogradec, gjendja po përmirësohet gradualisht, ndërsa në territorin e Kolonjës janë marrë masa të menjëhershme për devijimin e rrjedhës së lumit për të mbrojtur infrastrukturën, konkretisht urën e Qinamit. U riparua edhe ura në Novoselë, duke rikthyer qarkullimin normal, ndërkohë që popullata është njoftuar të mos përdorë ujin e rrjetit deri në përfundimin e analizave laboratorike.
Më problematike paraqitet situata në bashkinë Maliq, ku 133 objekte rezultojnë ende me prani ujërash dhe janë evidentuar rrëshqitje toke në tre zona të ndryshme, me rrezik për pesë banesa.
Falë ndërhyrjes së Forcave të Armatosura dhe strukturave të specializuara, janë riparuar dëmtimet në argjinaturat e lumenjve Dunavec dhe Devoll, ndërsa ulja e nivelit të ujit në lumin Devoll me rreth 70 cm ka sjellë lehtësim të ndjeshëm në prurjet ujore.
Edhe pse reshjet kanë shkaktuar dëmtime në disa segmente rrugore, pjesa më e madhe e akseve kryesore mbeten të kalueshme, me përjashtim të urës lidhëse Qinam–Selenicë. Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës dhe operacionet në terren për të parandaluar përkeqësime të mëtejshme.


