Formati më i dashur i të rinjve, “Rin Show 2025”, ka nisur përgatitjet për edicionin e tij të 16-të. Ky spektakël i talenteve të rinj, që u hap rrugën shumë artistëve të rinj, ka sjellë edhe këtë vit një ngjarje të paharrueshme, me pjesëmarrjen e gjimnazeve të qytetit.
Blerta Belliu, Drejtoresha artistike e Rin Show, theksoi se ky spektakël është një mundësi e shkëlqyer për nxënësit e shkollave të mesme për të shfaqur talentet e tyre. Prej dy javësh, nxënësit janë duke zhvilluar provat e tyre në ambientet e Qendrës së Kulturës dhe Inovacionit.
Ky spektakël maratonë tashmë ka fituar statusin e një tradite për Korçën, duke promovuar artistët e së ardhmes dhe duke ofruar një mundësi të shkëlqyer për të rinjtë të shfaqin aftësitë e tyre në art.