Rruga strategjike Qukës–Qafë Plloçë, një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore të Shqipërisë, është përfunduar dhe tashmë e hapur për automjetet. Me një gjatësi totale prej 43.4 kilometrash, ky aks përmirëson ndjeshëm lidhjen e komuniteteve lokale dhe shkurtimin e kohës së udhëtimit në aksin Tiranë-Korçë me rreth 45 minuta.
Projekti, i ndarë në tre lote, përfshiu ndërtimin e mbi 20 urave, dy tuneleve kryesore (850 m dhe 350 m), tuneleve emergjente dhe një numri të madh mureve mbajtëse për të përballuar terrenin e vështirë të zonës. Ky aks rrugor nuk përmirëson vetëm qarkullimin, por hap mundësi të reja për zhvillimin ekonomik, turistik dhe bujqësor të rajonit të Mokrës dhe zonave përreth.
Rruga ofron gjithashtu pamje panoramike që e bëjnë atë një atraksion për turistët, duke shndërruar udhëtimin në një përvojë natyrore unike. Për zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm të infrastrukturës rrugore në vend dhe përmirësimit të aksesit për qytetarët dhe komunitetet lokale.


