Njësia Administrative Moglicë, me shtrirje të gjerë territoriale nga 400 deri në 2300 metra mbi nivelin e detit, njihet prej kohësh për kultivimin e rrushit me cilësi të lartë.
Në fshatrat Gopesh, Moglicë, Peshtan, Lumaj, Kodras e të tjerë, kjo kulturë ka qenë ndër më të rëndësishmet, si në sasi, ashtu edhe në cilësi. Më të përhapura mbeten varietetet autoktone si serini i bardhë, serini i zi, debinat dhe tajkë e kuqe rrush i njohur për rezistencën natyrore ndaj sëmundjeve, çka ka bërë që trajtimet kimike të mos jenë pothuajse të nevojshme.
Prodhimi i Moglicës dallon për përmbajtjen e lartë të sheqerit, që arrin nga 24 deri në 26%, duke e bërë rrushin e zonës ndër më cilësorët në rajon. Ai kultivohet si në vreshta të mirëfillta, ashtu edhe në funde parcelash, ku kacavirret në pjergulla, herekë e madje edhe në pemë të larta.
Në foton e shpërndarë, shihet rrushi i varietetit “serini i bardhë”, i kacavjerrë në një pemë të lartë i pastër, i shëndetshëm dhe plot shije, siç di ta dhurojë vetëm toka e Moglicës.


