Korça çeli me sukses edicionin e 7-të të festivalit ndërkombëtar “Shpirti i Ballkanit”, duke sjellë një mbrëmje të paharrueshme nën tingujt e muzikës folk dhe jazz. Në rrugët e qytetit dhe Pazarin e Vjetër, atmosfera u mbush me ngjyra, ritme dhe emocione, në një paradë unike që reflektoi larminë kulturore të rajonit.
Artistë e grupe nga Kosova, Bullgaria, Franca, Mali i Zi, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria u ngjitën në skenë për të sjellë një performancë të jashtëzakonshme që u prit me duartrokitje dhe entuziazëm nga banorët dhe vizitorët e shumtë.
Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, e cilësoi paradën si një mozaik të vërtetë kulturash dhe identitetesh. “Ishte një shfaqje e gjallë e shpirtit ballkanik, që tejkalon kufijtë dhe flet gjuhën e përbashkët të artit dhe muzikës”, tha ai.
Mbrëmja kulmoi në Pazarin e Vjetër, ku nën dritat e skenës publiku këndoi, kërceu dhe festoi në një atmosferë të zjarrtë që e shndërroi qytetin në një kryeqytet të shpirtit dhe mikpritjes.
“Shpirti i Ballkanit” mbetet më shumë se një festival, është një urë që lidh popujt, një thirrje për bashkim përmes kulturës dhe muzikës.


