Skuadra e volejbollit të femrave e Skënderbeut e ka nisur mbarë edicionin e ri të Kampionatit Kombëtar, duke triumfuar në transfertë ndaj Vllaznisë me rezultatin e pastër 0–3.
Ndeshja, e zhvilluar në Shkodër, dhuroi emocione sidomos në setin e parë dhe të tretë, ku rivaliteti ishte i fortë deri në pikët e fundit. Vajzat korçare arritën të fitonin të dy setet me shifrat 21–25, duke treguar qetësi dhe vendosmëri në momentet vendimtare. Ndërkohë, në setin e dytë, Skënderbeu dominoi plotësisht, duke e mbyllur lojën me rezultatin bindës 11–25.
Ky sukses merr vlera edhe më të mëdha po të kemi parasysh se Skënderbeu është ribërë pothuajse nga e para këtë sezon, por megjithatë mbetet një skuadër që imponon respekt në kampionatin shqiptar të volejbollit për femra. Fitore e parë, morale e rëndësishme dhe një sinjal i qartë se ekipi korçar synon të mbetet protagonist edhe këtë vit.


