Në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla” në Korçë, nesër do të luhet ndeshja e tretë e finales së madhe të volejbollit për femra mes Skënderbeut dhe Tiranës. Takimi është vendimtar për fatin e titullit kampion, por ekipi korçar përballet me një situatë të vështirë për shkak të mungesave të shumta.
Trajneri Orlando Koja ka një listë të gjatë mungesash në prag të sfidës së rëndësishme. Organizatorja kryesore Perçe dhe liberos Mehmeti janë jashtë formacionit për shkak dëmtimesh, ndërsa De Sousa, edhe pse pjesë e skuadrës, nuk është në gjendjen optimale fizike pas dëmtimit të pësuar më parë.
Një tjetër dilemë për trajnerin është edhe organizatorja e dytë, algjeriania Ghozlane Moull. Pas aksidentit me furgonin e ekipit në zonën e Qafë Thanës, gjendja shëndetësore e saj është ende e paqartë. Sipas burimeve pranë klubit, Moull ka kryer disa vizita mjekësore ditët e fundit, të cilat fatmirësisht nuk kanë zbuluar probleme serioze, por ajo nuk ka marrë pjesë në seancën e fundit stërvitore, duke e lënë të hapur mundësinë e mungesës në përballjen me Tiranën.
Në këtë situatë, Skënderbeu rrezikon të zbresë në fushë pa katër lojtare të rëndësishme, çka e bën jashtëzakonisht të vështirë misionin për të përmbysur serinë dhe për të qëndruar në garë për titullin.
Ndeshja e nesërme pritet me interes të madh nga publiku korçar, që edhe në këto kushte të vështira mbetet pranë vajzave të Skënderbeut, duke shpresuar në një paraqitje dinjitoze përballë një rivali të fortë si Tirana.


