Në një zonë të thellë rurale si fshati Lajthizë, në bashkinë e Pustecit, ku bujqësia dhe blegtoria shpesh përballen me sfida të mëdha, Spase Nasto ka arritur të krijojë një nga fermat më të mëdha në zonë. Ai është ndër të paktët fermerë që ka ndërtuar një fermë të qëndrueshme me 30 krerë lopë, duke shënuar një histori suksesi në këtë bashki.
Spase Nasto tregon se në dy vitet e fundit ka përfituar mbështetje nga ministria e linjës, ndihmë që ka qenë jetike për zgjerimin dhe përmirësimin e fermës së tij.
“Ka qenë e vështirë në fillim, por me ndihmën e shtetit dhe përpjekjen time, ia dola. Kjo është mënyra ime për të jetuar, por edhe për të mbajtur familjen dhe për të kontribuar në zonë”, – thotë ai.
Në bashkinë e Pustecit aktualisht funksionojnë edhe tri ferma të tjera më të vogla, të cilat konsiderohen me potencial të lartë, por që kanë nevojë për më shumë mbështetje për të ndjekur shembullin e Spases.
Ky rast tregon se edhe në zonat më të izoluara, me punë, këmbëngulje dhe ndihmë të duhur, mund të krijohen modele të qëndrueshme ekonomike që ndikojnë pozitivisht në zhvillimin rural dhe vetëpunësimin.



