Kristjan Asllani ka pranuar zyrtarisht ofertën e Torinos. Sipas “TMW”, klubi granata ka ndjekur prej kohësh mesfushorin e Interit dhe tashmë palët kanë arritur marrëveshjen përfundimtare.
Rreth orës 15:00, lojtari i Kombëtares kuqezi do t’i nënshtrohet vizitave mjekësore dhe më pas pritet të firmosë kontratën që e lidh me klubin e presidentit Urbano Cairo. Interi do të përfitojë 1.5 milionë euro për huazimin dhe 12 milionë euro të tjera nga detyrimi i kushtëzuar për blerje.
Për Asllanin, ky transferim vjen pas një vere të gjatë e të vështirë. Mesfushori filloi me një vend titullari në Kupën e Botës për Klube, por më pas u përball me deklaratat e drejtorit sportiv Piero Ausilio, i cili e bëri të qartë se nuk ishte më pjesë e projektit zikaltër. Gjatë merkatos, ai refuzoi disa alternativa, derisa vendosi të pranojë ofertën e Torinos, që shihet si klubi ideal për hapin e radhës në karrierën e tij.
Asllani iu bashkua Interit në verën e vitit 2022 me pritshmëri të mëdha, por nuk arriti të konsolidohej si titullar. Pas dy sezoneve, ai mbyll eksperiencën me 99 ndeshje dhe katër gola të shënuar – tre në Serie A dhe një në Kupën e Italisë.


